Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar kryeministrin Kurti lidhur me Asociacionin.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, është deklaruar lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve që qeveria ta dërgojë draft statutin e Asociacionit në Kushtetuese.
Sipas saj, aleatët nuk kanë besim në zotimet e Kurtit, andaj kërkojnë garanci për implementimin e Asociacionit, të cilin ai e ka pranuar me vetëdëshirë por që ka tejkaluar kompetencat në autonomi.
“Aleatët ndërkombëtarë nuk i besojnë as fjalëve e as zotimeve me shkrim të z.Kurti, prandaj kërkojnë “garanci” nga qeveria për implementimin e asociacionit. Asociacionin me vetëdëshirë e ka pranuar z.Kurti në Marrëveshjen e Ohrit, edhe atë duke tejkaluar kompetencat e asociacionit e duke kaluar në autonomi”, thotë deputetja për Gazeta Blic.
Ajo shton se aleatët e kanë gjetur momentumin e duhur që ta dëtyrojnë Kurtin ta implementojë atë.
“Prandaj, zotimin e z.Kurti në Marrëveshjen e Ohrit, aleatët kërkojnë ta implementojë. Që ta detyrojnë z.Kurti të implementojë zotimin e tij për asociacionin, aleatët nuk kanë momentum më të mirë dhe normal që e shfrytëzojnë. Anëtarësimi në KiE është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Ka ardhur koha që monstrumi që ka krijuar vetë z.Kurti po e gëlltitë”, deklaron deputetja Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/