Janë shtuar thirrjet e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, për dërgimin e draft statutit të Asociacionit nga Qeveria në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe pse Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim në KiE, kërkesat për të po shihen si kushtëzim për këtë anëtarësim.
Lidhur me këtë, Shqipe Pantina nga LDK, thotë për Gazeta Blic se edhe pse nuk është kusht Asociacioni, por merren parasysh edhe kritere politike përpos atyre teknike.
“Krijimi i Asociacionit nuk është kusht për anëtarësim në KiE, por si në çdo organizëm ndërkombëtar nuk janë vetëm kriteret teknike por edhe ato politike që merren në konsiderim kur bëhet fjalë për pranim të anëtarëve të rinj në këto organizma”, vlerëson ajo.
Pantina kujton letrën e krerëve të shtetit ku zotohen se do ta formojnë Asociacionin.
“Krerët e institucioneve tona, që të tre, presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri, kanë dërguar një letër ku janë zotuar se mes tjerash të formojnë edhe Asociacionin për t’u anëtarësuar në KiE”, thekson ajo për Gazeta Blic.
Anëtarja e LDK-së vlerëson se nuk do të votohet kundër, por nëse Kosova bën hapa prapa për themelim të Asociacionit, anëtarësimi s’do të futet në rend dite në takimin e majit.
“Unë nuk mendoj se do votohet kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE por ajo çfarë mund të ndodhë në rast se Kosova nuk bën hapa para drejt themelimit të Asociacionit, është që anëtarësimi i Kosovës nuk futet në rendin e ditës në takimin e ministrave në maj”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


