Vetëm katër ditë pas vrasjes së Erona Coklit në Ferizaj, krim që dyshohet të jetë kryer nga ish-bashkëshorti Valon Aliu, një tjetër grua u bë viktimë e femicidit në Kosovë.
Vendi u trondit kur Gjyljeta Ukella u vra nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajqi, më 16 prill në banesën e tyre në Pejë.
Pas kryerjes së krimit, Edmondi u vetëdorëzua në Polici, duke e pohuar se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Gjyljetën.
Ai dyshohet se e vrau me një plumb në ballë derisa ajo po pinte kafen e mëngjesit.
Për vrasjen e gruas të tij, dje u mbajt seanca fillestare, në të cilën Prokuroria kërkoi që të 43-vjeçarit t’i caktohet masa e paraburgimit.
Kjo kërkesë u aprovua nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila përmes një komunikate për media, pohoi se për 43-vjeçarin parashihet dënim me burgim prej së paku dhjetë vitesh ose me burgim të përjetshëm.
Gjykata po ashtu njoftoi se kjo nuk është hera e parë që ai bie ndesh me ligjin.
Organet e hetuesisë dhe drejtësisë kishin qenë të njoftuara me gjendjen e Gjyljetës qysh në vitin 2021, kur ajo e kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Edmondi dhe Gjyljeta ishin të martuar dhe kishin tre fëmijë.
E ndjera e mbante familjen, duke punuar si asistente e stomatologjisë në QKMF në Pejë, ndërsa i dyshuari ishte i papunë që 15 vjet.