Para dyerve të Qendrës së Regjistrimit Civil i çelë mëngjesi.
Ndonëse qendra hap portën në orën 8, qytetarët nxitojnë që të arrijnë që në 6 të mëngjesit.
Kjo që ta zënë radhën në fillim të rreshtit e t’i marrin numrat e parë, për të aplikuar ose për t’u pajisur me pasaportë.
Pavarësisht zgjimit herët, duket se tollovisë e kanë vështirë t’i ikin.
Liberalizimi i vizave dhe dëshira që të udhëtojnë në vendet evropiane, për kosovarët është jashtëzakonisht e madhe. E kundërta ndodh me numrin e punëtorëve në Qendrën për Regjistrim Civil në Prishtinë.
Duket se me hovin e madh të kërkesave për shërbime nga kjo qendër, numri i punonjësve aty është jashtëzakonisht i vogël.
Për të gjithë ata qytetarët që presin që në orët e para të mëngjesit dhe që qarkullojnë e vinë të rinj gjatë gjithë ditës, në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë u shërbejnë vetëm 8 punëtorë.
Nuk është e pazakontë që qytetarët të cilët presin aty e humbin edhe një ditë pune për t’u pajisur me një dokument, të cilin ka mundësi që as nuk arrijnë ta marrin.
Ndonëse brenda afateve të rregullta, zakonisht për një pasaportë qytetarët kanë pritur deri në 15 ditë, pas liberalizimit të vizave, pritjet shkojnë deri në 2 muaj e tutje.
Një qytetar, i cili ishte duke kërkuar më shumë informata lidhur me fatin e tij, frikësohej se për shkak të vonesës së pasaportës edhe mund t’i digjej bileta e rezervuar për në shtetin gjerman.
Edhe diaspora kosovare ka hasur në tollovitë e institucioneve. Një qytetar, i cili kishte ardhur nga Austria, ka thënë se pushimi i ka shkuar nëpër dyert e kësaj qendre.
Sipas tij, një gjendje të ngjashme nuk e ka parë asnjëherë në qytetin ku jeton.