Zakon e kanë shqiptarët që fëmijët t’i familjarizojnë me veturën, duke i ulur në prehër gjatë vozitjes. Por tanimë ky zakon, i cili është i paligjshëm, do t’u kushtojë me gjobë prej 400 euro. Kjo pasi shteti ka miratuar ndryshimet në Ligjin për gjobat në komunikacion.
E përveç gjobës me para, shoferët që bëjnë këtë vepër do të dënohen edhe me heqjen e 5 pikëve dhe marrjen e patentës së vozitjes për 6 muaj, raporton Kiks Kosova.
Megjithë ashpërsimin e gjobave, këtë radhë me ligj është specifikuar edhe ndotja me baltë e rrugëve regjionale e të asfaltuara nga automjetet, të cilat kyçen nga rrugët dytësore, ku dënimi shkon deri në 1 mijë euro nëse nuk i pastrojnë gomat e veturave dhe mjeteve të transportit para se të kyçen në rrugët kryesore.
Por, a i plotësojnë rrugët në vend kushtet që kosovarët t’i mbajnë veturat e pastra?
Ligji që hyri në fuqi më 19 mars të këtij viti ka ashpërsuar masat në secilin dënim të mëhershëm. P.sh., gjoba prej 40 eurosh për mosvendosje të rripit të sigurimit ka shkuar në 150 euro.
Derisa përdorimi i telefonit konsiderohet si njëri nga shkaktarët më të mëdhenj të aksidenteve në trafik, gjobat për këtë shkelje medoemos janë rritur. Tash, nëse vozitësit përdorin telefonin gjatë ngasjes do të gjobitën me 100 euro, por nëse përsëritet veprimi tre herë, atëherë gjoba katërfishohet dhe ngasësi privohet nga përdorimi i veturës për gjashtë muaj.
Kushdo që vozit mbi 100 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar, gjoba është 500 euro dhe poashtu i ndalohet vozitja për një gjysmë viti.
Gjobat janë ashpërsuar edhe për “maraklitë” e garave me vetura, kjo pasi ligji i ri ka paraparë dënime deri në 500 euro si dhe marrje të patentës për 6 muaj.