Lajme

Tërnava: Ligji për Bashkësi Fetare është i pranueshëm, por me disa ndryshime

04/10/2024 20:02
nga:G B

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka folur për disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për Bashkësitë Fetare më 25 janar të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka thënë se ligji në fjalë është i pranueshëm, por me ndryshimin e disa neneve që ka kërkuar BIK-u.

“Ligji për Bashkësi Fetare është i pranueshëm pa asnjë problem, mirëpo sigurisht me ndërrimin e dy apo tri neneve që kemi kërkuar ne. E një prej atyre është që të largohet neni që me 50 nënshkrime të ketë bashkësi fetare islame në Kosovë. Të mos i hapim dyert e përçarjeve të vëllezërve tanë në mesin e kombit tonë, por edhe në raport edhe me pakicat tjera në Kosovë”.

“Shembull nëse kjo mundësohet në Kosovë, pasi vetëm në Kosovë po tentohet të bëhet, një gjë e tillë është bërë në Moskë dhe atje janë bërë 11 bashkësi fetare islame, nuk po them që edhe për Kosovë është marrë ai format, mirëpo po e bëjmë një krahasim. Pse? Atëherë do të kemi bashkësi islame të turqve, të boshnjakëve, të goranëve e ku ta di unë, gjë që do të vishte një mish-mash”, ka thënë Tërnava.