Lajme

Tri vjet si presidente/ Opozita e quan Osmanin inekzistente e notere të Kurtit – mazhoranca e sheh unifikuese

04/04/2024 14:19
nga:G B

Janë bërë tri vjet nga zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente e Republikës së Kosovës.

E, lidhur me këtë, deputetë të mazhorancës e opozitës kanë dhënë vlerësimin e tyre për rolin e Osmanit si presidente.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në trevjetorin e zgjedhjes së saj, Osmanin e quajti atë inekzistente.

“Inekzistene. Ne kemi vetëm një pushtet, ai është Kurti dhe të gjithë të tjerët janë staf i tij”, deklaroi Haradinaj për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka mundur të jetë më unifikuese.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, duke folur për rolin e Osmanit në trevjetorin e saj si presidente, tha se ka mundur të bëjë më shumë dhe mbi të gjitha në mos lejimin e shkeljes së Kushtetutës.

“Mendoj që ka mundur të bënte më shumë, ka mundur të jetë më unifikuese dhe mbi të gjitha në aspektin profesional, mos lejimit të shkeljes së Kushtetutës përmes ndikimit të saj si presidente”, shprehet ai.

Kritik ndaj Osmanit është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili atë e quajti notere të Kurtit.

Ai madje përmend dhe bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu, që thotë se ka bërë skandale.

“Gjatë kësaj periudhe mund të themi që presidentja ka qenë vetëm një notere e kryeministrit Kurti, nuk ka arritur ta luajë rolin e saj unifikues sipas Kushtetutës të cilin e ka dhe kemi pasur skandale të njëpasnjëshme të cilat kanë buruar nga zyra e Presidencës dhe një primat të Zotërisë së Parë, Prindonit, i cili merr në këto tri vite, ndonëse nuk ka pasur ndonjë rol apo përgjegjësi në zyrën e presidencës mirëpo skandalet kanë qenë evidente”, deklaron Haxhiu për Gazeta Blic.

Kurse, deputetët e Vetëvendosjes vlerësuan se Vjosa Osmani është unifikuese si presidente.

Deputeti Eman Rrahmani thotë se e vlerëson punën dhe rolin e Osmanit.

“Mendoj që presidentja është duke luajtur rolin unifikues, duke u angazhuar, e vlerësoj punën që është duke e bërë”, thotë ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputeti tjetër Agon Batusha, thekson për Gazeta Blic se Osmani deri tani e ka kryer detyrën e saj me përkushtim dhe nder.

“Zonja Osmani është zgjedhur presidente dhe roli i saj është ai që është, i presidentes së Republikës dhe po e kryen sipas mendimit tim deri tash me përkushtim dhe nder. Natyrisht koordinimi ndërinstitucional mes krerëve të shtetit deri tash ka qenë i kënaqshëm dhe ka dhënë rezultatet e duhura për shtetin dhe Republikën tonë”, deklaron Batusha./Gazeta Blic/

Tri vjet nga zgjedhja e Osmanit si presidente e Kosovës