Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vendosur që ta ulë çmimin e energjisë elektrike për tetë për qind për ata që shpenzojnë mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh.
Tarifat e energjisë elektrike ishin rritur për 15% vitin e kaluar, dhe nga e diela e 31 marsit nuk janë më në fuqi.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se ky është një lajm i mire dhe se zbritja ka ndodhur për shkak se importi me shumicë i energjisë elektrike ka pasur zbritje po ashtu.
“Në këtë mbledhje u vendos që të zbriten tarifat për konsumatorët familjarë që konsumojnë mbi 800 kilovatë në orë për një muaj në 8% dhe gjithë konsumatorët e tjerë biznesorë, industrial dhe ndriçimit publik me 3%. Ky është një lajm i mirë për gjithë ne, sidomos për konsumatorët që edhe në këtë vit do të kemi një zbritje përveç mbështetjeve tjera që u janë ofru nga institucionet e tjera gjatë vitit të kaluar por edhe këtë vit ZRrE-ja ka marrë parasysh kursimet që kanë ndodhë në sektor. Po ashtu duhet me theksu që importi i çmimit për energji me shumicë kanë pasur zbritje, dhe si rezultat janë reflektuar edhe te tarifat e konsumatorëve. Një nga kompanitë kryesore që ka shty në rritjen e tarifës ka qenë edhe çmimi me shumicë meqenëse kemi pasur tash zbritje te kostos së importit ajo është reflektu në tarifat e konsumatorit”, tha ai.
Tarifat e reja do të vlejnë për periudhën nga 1 prilli 2024.