Me rastin e deklarimit të pasurisë për herë të parë nga mjekët dhe profesorët, në një intervistë për GazetaBlic flet ,Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjensisë për Parandalim të Korrupsionit.
Ai tregon se deklarimi i pasurisë ka hyrë në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, për kategorinë e arsimit dhe shëndetësisë.
“Deklarimi i pasurisë bëhet bazuar në ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa si ligj ka hyrë gjashtë muaj pas publikimit, për mjekët shëndetësorë sekondar dhe terciar si dhe profesorët e universiteteve “ tha ai për GazetaBlic.
Tutje shtoi se kjo agjensi detyrohet të ndërmarrë ndëshkime në rast të dështimit të kryerjes së këtij obligimi.
“Agjensia detyrohet që të shqiptoj gjobë mandatore prej 30% të pagës mujore e cila aplikohet në 14 ditët e para të deklarimit pas afatit të paraparë, si dhe duhet dorëzuar kallëzim penal në prokurori pas 15 ditëve të vonesës në deklarim” deklaroi ai.
Buleshkaj tutje tha se mund të ketë sanksione në rast të pasaktësisë në lidhje me deklarimin e pasurisë.
“Rastet që i nënshtrohen verifikimit të plotë, nëse evidentohen dallime më të larta se 3000 euro, atëherë mund të sanksionohen me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vite ” theksoi ai.
Ndër të tjerash, drejtori i Agjensisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Bukeshkaj, thotë se ka pasur rritje të numrit të deklarimit të pasurisë, gjithashtu dhe largime.
“Përderisa në vitin 2022 kanë deklaruar pasurinë afër pesë mijë zyrtar, vitin e kaluar pasurinë e kanë deklaruar më shumë se dhjetë mijë zyrtarë publik, ndërsa këtë vit këtij numri i shtohen edhe rreth 730 profesorë dhe 1430 mjekë, por largohen afërsisht 1000 asambleistë të kuvendeve komunale, numri i përgjithshëm pritet të jetë më shumë se 11000 subjekte deklaruese”, vazhdoi ai me deklaratën.
I pyetur rreth kallëzimeve penale të dorëzuara, tha se për këta muaj kanë qenë gjithsej dy.
“Këtë vit kemi dorëzuar dy kallëzime penale, që ndërlidhen me deklarimin e pasurisë” tha ai.
Krejt në fund nuk la pa përmendur për mundësinë e përmirsimeve të lëshuara, që ka afat 30 ditor nga bërja publike e regjistrave të deklarimit, duke theksuar se ligji nuk parasheh afat të dytë.
/GazetaBlic/