Lajme

Analisti politik për mocionin e AAK-së: Nuk shoh mundësi me u rrëzu qeveria, s’ka bashkim forcash nga opozita!

03/23/2024 18:56
nga:Y I

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka iniciuar mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Sipas komunikatës së lëshuar sot nga ky subjekt politik, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në dokument janë prezantuar një pjesë e efekteve të qeverisë së Kosovës gjatë këtyre tri viteve, qeverisje që e ka quajtur të dobët dhe stagnuese.

Në lidhje me këtë mocion dhe se a pritet të ketë përkrahje ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Fidan Ukaj.

Ukaj tha se në vazhdimësi nuk ka patur bashkim forcash nga partitë opozitare aq më pak për të rrëzuar qeverinë.

Ai tha se edhe kjo përpjekje do të mbes vetem një perpjekje e një partie opozitare.

“Deri më sot nuk kemi pa një bashkim forcash nga partitë opozitare karshi qeverisë, e aq ma pak me e rrëzu qeverinë Kurti.Mendoj se edhe kjo përpjekje do të mbes vetem një perpjekje e një partie opozitare, nëse eventualisht qeveria Kurti nuk dëshiron me rrëzu vetveten. Andaj nuk shoh mundësi me rrëzu qeverinë Kurti nga ky mocion” tha Ukaj për “Gazeta Blic”.

Sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve ka folur ditë më parë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai ka deklaruar se janë të gatshëm për t’i bashkuar votat me opozitën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

/Gazeta Blic/

 

AAK merr iniciativë për shkarkimin e Qeverisë Kurti, përgatit mocion mosbesimi dhe Rezolutë

Kurti për zgjedhjet e parakohshme: I bëjmë bashkë numrat me opozitën nëse duan!