Lajme

Hovenier: Presim nga Qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me ne

03/22/2024 13:59
nga:Sh R

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier ka deklaruar se pret nga Qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me ShBA-në në mënyrë që në Kosovë të ketë përparime.

Gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 25-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së fundit në Kosovë, Hovenier përsëriti qëndrimin amerikan se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Hovenier.