Lajme

Sfidat me të cilat përballen personat me Sindromën Down

03/22/2024 22:31
nga:N K

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të personave me Sindromën Down në Kosovë, në një prononcim për GazetaBlic flet Melita Bytyçi-Kelmendi aktiviste dhe nënë e vajzës me Down Sindrom.

Kelmendi tregon për vështirësitë e personave me Down Sindrom në qasje për punësim, ku sipas saj numri i papunësisë është shumë i lartë tek të rinjët në Kosovë, gjë që natyrisht ndikon edhe më shumë tek kjo kategori.

“Ne jemi të vetëdijshëm që në nivel institucional numri i papunësisë është i lartë sidomos tek të rinjët, specifikisht vajzat e reja, rrjedhimisht për personat me Down Sindrom qasja në tregun e punës është shumë herë më e vështirë” deklaroi fillimisht ajo për GazetaBlic.

Tutje ajo theksoi se duhet të krijohen programe adekuate që të bëhët ngritja e kapaciteteve tek personat me Down Sindrom.

Kelmendi shtoi se kërkesë nga prindërit e fëmijëve me Down Sindromë është qasja në institucione shkollore dhe rritja e asistenteve në shkolla.

“Kërkesat e vazhdueshme nga ana jonë janë qasja në institucionet shkollore dhe rritja e asistentëve në shkolla, përkundër faktit që në vitin e kaluar ky numër është rritur në 100 në total, por prap është i pamjaftueshëm” u shpreh Kelmendi.

E pyetur për mbështetje financiare nga institucionet ajo tha se është një mbështetje simbolike krahas kërkesave dhe nevojave.

“Personat me Down Sindrom përfitojnë mbështetje financiare deri në moshën 18 vjeçare, por kjo mbështetje është simbolike krahas kërkesave dhe nevojave që duhet bërë për intervenimin e hershëm tek personat me Down Sindrom, si asistentja në shokollë dhe logopedi”,

Krejt në fund ajo shprehu shqetësimin e saj për mungesën e kujdesit institucional për këtë kategori, poashtu tha se shpesh ballafaqohen me diskriminim dhe stigmatizim të vazhdueshëm, sidomos në institucionet parashkollore dhe shkollore.

/GazetaBlic/