Sporti

“Mungesa e Mirlind Daku e Arbnor Mujës, lista përfundimtare për Euro2024 dhe ndryshimet e mundshme”, Igli Tare flet për situatën e kombëtares kuqezi

03/20/2024 19:58
nga:Lorik J

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy ndeshje miqësore në muajin mars, fillimisht ndaj Kilit të premtën, e më pas ndaj Suedisë të hënën e ardhshme.

Trajneri, Sylvinho ka bërë disa ndryshime në listën e dy miqësoreve, duke lënë jashtë Mirlind Dakun e Arbnor Mujën.

Igli Tare, ish lojtari i kombëtares shqiptare ka analizuar listën e Sylvinhos për këto dy ballafaqime në një prononcim për emisionin “Sport Focus në Ora News” me Vjosana Nozllaku.

Lista e grumbullimit për ndeshjet miqësore?

“Nuk mund ta gjykojë vendimin e tij, sepse janë gjëra që ai i di më mirë se çdokush, sepse ai e ka në dorë planin për këtë Europian. Është e kot që të diskutojmë para listës përfundimtare, do ketë edhe surpriza tjera, ose rikthim i atyre që nuk u thirrën – apo ndonjë ardhje tjetër. Më mirë se të gjithë e di trajneri”, tha fillimisht Igli Tare.

Reparti i sulmit?

“Për repartin e sulmit, Sylvinho do ta ketë shumë vështirë, sepse Daku ka pasur një rol të rëndësishëm në kualifikimin e skuadrës, për momentin ndodhet jashtë. Nuk do jetë e lehtë për listën përfundimtare”

Arbnor Muja?

“Lojtar me karakteristika shumë të rëndësishme, ka shpejtësi e teknikë – me Shqipërinë s’e ka treguar nivelin maksimal, por është lojtar që ka nivel të lartë të lojës dhe ka eksperiencë edhe në Champions League”, përfundoi Igli Tare.

/GazetaBlic Sport