Lajme

Qeveria i reagon Borrellit: Kosova pesë herë ofroi gatishmëri për nënshkrim të marrëveshjes, Serbia refuzoi

03/19/2024 08:32
nga:G B

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka shprehur dje zhgënjimin për mos zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, në ditën kur u bë një vit nga arrija e kësaj marrëveshje.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë presionin mbi Kosovën e Serbinë, për zbatim të kësaj marrëveshje.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova është konstruktive dhe e angazhuar për zbatim të plotë të marrëveshje, pa kushte përmes planit të sekuencimit.

“Kosova qëndron konstruktive dhe e angazhuar në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja përmban njohjen de facto dhe për herë të parë Kosova dhe Serbia detyrohen që t’i rregullojnë raportet e tyre bazuar në parimet ndërshtetërore të Kartës së OKB-së”, shprehet ai.

Kryeziu thekson se Kosova që nga arritja e marrëveshjes ka ofruar në pesë raste gatishmërinë për nënshkrimin e saj, ku në të gjitha ka refuzuar pala serbe, derisa vazhdimisht e ka shkelur këtë marrëveshje.

“Që nga dakordimi ynë për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj ne kemi ofruar në pesë raste gatishmërinë tonë për nënshkrimin e tyre, nga Brukseli me 27 shkurt 2023 e deri në New York në 8 shkurt 2024. Kjo dëshmon qartë vullnetin tonë. Në secilin rast kemi hasur refuzimin e palës serbe. Kjo dëshmon qartë vullnetit e Serbisë. Ndërkohë që ajo vazhdimisht ka shkelur e minuar sa shkronjën dhe frymën Marrëveshjes Bazike deri në masën e refuzimit të saj përmes letrës së Kryeministres së Serbisë në dhjetor të vitit të kaluar”, potencon zëdhënësi i Qeverisë për Gazeta Blic.

Ai shton se duhet evidentuar se kush e ka lënë pas zbatimin e marrëveshjes deri tash.

“Arsyeja se pse po i përmendim këto është sepse për të ecur përpara konsiderojmë që duhet të evidentohet dhe thuhet qartë se kush na ka mbajtur prapa deri tash”, deklaron Përparim Kryeziu./Gazeta Blic/

Borrelli i zhgënjyer në njëvjetorin e Ohrit: Do t’i bëjmë presion Kosovës dhe Serbisë

Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni kot Kurtin