Lajme

Çështja e dinarit, nesër në Bruksel takohen Bislimi e Petkoviq

03/18/2024 23:12
nga:G C

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i të ashtuqujturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen nesër në Bruksel.

Javën që shkoi Bashkimi Evropian njoftoi që temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb, ndonëse nga Qeveria e osovës në vazhdimësi kanë deklaruar se për kët çështje nuk do të diskutohet në Bruksel.

Një ditë para këtij takimi, për dinarin ka folur presidentja Vjosa Osmani, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

Kurse, para takimi mes kryenegociatorëve, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar, derisa është shprehur se i vjen keq se marrëveshja që siç thotë ai ishte e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Borrell tha para gazetarëve zbatimi i marrëveshjes nuk ka qenë aq sa e priste dhe se do të vazhdohet me presion ndaj palëve për të ecur përpara.

“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Orientit. Koha ikën dhe tashmë është një vit që kemi arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar. Së shpejti do të jetë takimi vjetor i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Do vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte”, ka deklaruar Borrell.

Ditën e djeshme, Borrell tha se është koha e fundit që Kosova dhe Serbia të kalojnë në epokën evropiane, në një deklaratë ku kërkoi zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Borrell duke përmendur luftën në Ukrainë tha se arritja e një marrëveshjejeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte historike.

“Për herë të parë gjatë Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Europian”, tha Borrell.

“Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – europiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, theksoi ai.

Borrell tregoi se presin që “liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme”.

“Bashkimi Europian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, përfundoi ai.

Derisa tashmë është konfirmuar takimi i 19 marsit në Bruksel ku do diskutohet çështja e dinarit në nivel të kryenegociatorëve, e që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese. Kjo është konfirmuar nga këshilltari i tij, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se sipas ftesës, do të diskutohet për avancimin e zbatimit të marrëveshjes bazike.

“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, ka thënë tutje ai, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.

Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër.

“Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë javën e kaluar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.

Escobar tutje ka thënë se “ende shpreson që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e menjëhershme të parave të gatshme në euro për këta njerëz”.