Në Vushtrri një grua është kanosur nga bashkëshorti i saj, i cili ka ushtruar edhe dhunë fizike e psikike, në sy të fëmijëve të tyre.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka kërcënuar me jetë, duke i thënë se “krytë me sakicë kom me ta hekë dhe me t’varrosë” – duke iu shkaktuar frikë e shqetësim të madh, shkruan Sinjali.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici dhe si rezultat Policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Në shtëpinë e të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë me fishekë, që janë sekuestruar si prova materiale.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për dy vepra penale ‘Kanosje’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.