Lajme

Gusia: Shifrat e dhunës ndaj grave janë shqetësuese

03/08/2024 20:48
nga:Y I

Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyre të Kryeministrit vlerëson se Kosova nuk dallon prej shteteve në nivel global sa i përket ballafaqimit të grave në baza ditore me dhunë në familje dhe dhunën ndaj grave.

Siç deklaroi në Klan Kosova, nëse i shohim statistikat e policisë së Republikës së Kosovës, vetëm vitin e kaluar kemi pasur përafërsisht mbi 2 mijë e 700 raste të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

“Është e vërtetë që shifrat janë shumë të larta dhe shumë shqetësuese, mirëpo në anën tjetër, ka dhe një vetëdijesim të grave dhe vajzave për t’i lajmëruar rastet e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”.

“Ka një sensibilizim për të gjithë ato institucione që mund të ofrojnë ndihmë dhe duhet të ofrojnë ndihmë, fatkeqësisht jo çdoherë ashtu si ne dëshirojmë që ndihma të jetë, sepse mos të harrojmë që dhuna fizike është ai niveli i fundit i eskalimit të dhunës. Ka forma të ndryshme të dhunës, qoftë ajo psikologjike, ekonomike, me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë”, deklaroi Gusia.