Lajme

Osmani: Adem Jashari e familja e tij personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia

03/06/2024 10:44
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka thënë se kjo epope është e krenarisë së popullit që ka rikthyer dinjitetin e shtetit dhe simbolizon lirinë që e gëzon sot vendi.

Teksa ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e para e vendit ka thënë se kryekomandanti, Adem Jashari dhe gjithë familja e tij personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia.

“Sot jemi këtu së bashku që sërish në emër të popullit të shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin, Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë, epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë, epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë sot”, ka deklaruar Osmani.