Lajme

Ish-pjesëtari i UÇK-së tregon si e njohu Adem Jasharin, kush i organizoi stërvitjet në Surrel dhe çka iu tha Rugova

03/05/2024 21:09
nga:Y I

Ismet Çerkini, ish-pjesëtar i UÇK-së, ka treguar për takimin e tij me komandantin Adem Jashari pas stërvitjeve në Surrel të Tiranës më 1991.

“Le të drejtohen sllavët mes veti dhe në fund do të shohim se çka do të bëjmë”.

Këto ishin fjalët që u kishin thënë ish-presidenti, Ibrahim Rugova dhe akademiku, Fehmi Agani, grupit të parë që kishe shkruar të stërvitje në Shqipëri tregon ish-pjesëtari i UÇK-së, Ismet Çerkini.

Çerkini më tej ka thënë se gjatë viteve 1992-1993, Rugova e Agani, kishin thënë se nuk mund të hyjnë në luftë më Serbinë.

“Pas kthimit të dytë, të grupit të Adem Jashari, shumica janë zbuluar dhe është dashur të ikin se një pjesë edhe janë burgosë, por, nga grupi i parë asnjë nuk ka ra në hetime të UDB-ës jugosllave. Dje ne e kemi biseduar me profesor Aganin se çka do të bëjmë në vitin 92-3, a do të marrim aksione apo të hyjmë, por, ai thotë se presidenti Rugova dhe vetë Agani e thonë se në luftë frontale nuk guxojmë dhe nuk mund të hyjmë me Serbinë. Le të drejtohen sllavët mes veti dhe në fund do të shohim se çka do të bëjmë”, ka thënë Çerkini në “FIVE” të Dukagjnit.

Ai ka treguar edhe se si e njohu komandantin, Adem Jashari.

“Me Adem Jasahrin jam njoftë pas ushtrimeve që i kemi bërë në Surrel të Tiranës, në tetor të 1991. Ne ishim grupa e parë me Sali Çekajn, Zahir Pajazitin e Ahmet Hoxhën, tash heronj të Kosovës. E Ademi me Ilaz Kodrën dhe grupin e dytë ishin pas neve në ushtrime…”, ka shtuar Çerkini.

Sipas Çerkinit, organizmi i stërvitjeve në Surrel të Tiranës është bërë nga dy degë të LDK-së dhe pas një marrëveshje.

“Organizmi është bërë nga dy degët e Lidhjes Demokratikë të Kosovës, njëra në Shtutgart që e udhëhiqet Sali Cekaj, dhe Hafiz Gagica dhe në Cyrih që udhëhiqshin Shapi Latifi me Imer Berishën e shokë të tjerë. Ata janë organizu dhe kanë biseduar me presidentin Rugova dhe akademikë Fehmi Agnain dhe është dhënë sinjali që mund të ushtrojmë dy grupet e para në Surrel të Tiranës. Jemi shkau nga marrëveshja që është bërë, një marrëveshje që ishte bërë mes presidentit Rugova dhe presidentit të atëhershme të Shqipërisë Ramiz Alisë. Dhe ne jemi shkuar kush si ka mundur në Surrel dhe jemi ushtruar nga oficerët që kishe akademia ushtarake Skenderbe në Tiran”, ka treguar ish-pjesëtari i UÇK-së.