Dukagjini u mposht në xhiron e fundit të Superligës së Kosovës nga kampioni në fuqi, Ballkani me rezultat 1-2.
Lojtari i Dukagjinit, Besir Iseni ka folur për GazetaBlic Sport rreth sezonit që po kalon skuadra e tij duke komentuar mbi ndeshjen e ardhshme ndaj Fushë Kosovës.
Iseni e konsideron duelin e radhës si tejet të vështirë duke pasur parasysh se Fushë Kosova arriti fitore të madhe ndaj Dritës në xhiron që sapo lamë pas.
“Një ndeshje e vështirë duke marrë parasysh se Fushë Kosova vjen pas një fitore të madhe ndaj Dritës, por ne jemi të detyruar të fitojmë dhe të jemi sa më komod në tabelë”, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.
Iseni komentoi edhe largimin e Iljasa Zulfiut të cilin e konsideron si mungesë të madhe për ekipin, por që sipas tij Dukagjini ka afruar lojtarë me potencial për ta mbuluar ‘boshëllëkun’ në pozitën e Zulfiut.
“Sa për objektivat, është ende herët për të folur, sepse ka akoma ndeshje përpara. Normalisht që mungesa e Iljasës është një mungesë shumë e madhe, por ne kemi afruar lojtar të mirë për ta zëvendësuar atë boshllëk në pozitën e tij. Pascal duket në formë të mirë dhe presim gola nga ai”, përfundoi Iseni për GazetaBlic Sport.



