Lajme

Peci: Rusia është duke tentuar që ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin, për Ukrainën dhe Gjeorgjinë

03/01/2024 22:12
nga:Mergim Rreci

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci është i ftuar i kësaj jave në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin.

Peci komentoi ndikimin që Rusia është e interesuar ta shtrijë në Ballkan, natyrisht me ndihmën dhe bashkëpunimin e madh që ka me Serbinë. Ai tha se menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së vitit 2013, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë janë intensifikuar në të gjitha fushat.

Tutje ai shtoi se Rusia është duke tentuar që ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, madje sipas tij ky është qëllimi i saj kryesor.

Është interesante që menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së vitit 2013, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë janë intensifikuar në të gjitha fushat. Dmth, 2 muaj pas arritjes së marrëveshjes së prillit të 2013, Serbia e ka nënshkruar marrëveshjen për partneritet strategjik me Rusinë. Prej asaj kohe, ky partneritet është rritur dhe Rusia e ka inkurajuar Serbinë që të mos arrijë marrëveshje me Kosovën, sepse marrëveshja do të nënkuptonte edhe humbje të ndikimit malinj të Rusisë në rajon. Elementi i dytë i strategjisë ruse qëndron tek fakti se Rusia po dëshiron të shfrytëzojë situatën e acaruar në Ballkan dhe rastin e Kosovës, për interesa të veta në atë që quhet fqinjësi e afërt, pra në Ukrainë dhe Gjeorgji e vende të tjera. Rusia është duke tentuar që ta përdor Kosovën si pikë ‘kusuritje’ me Perëndimin për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ky është qëllimi kryesor i Rusisë. Qëllimi kryesor i Rusisë është që Kosovën ta paraqesë si një krijesë të përkohshme, në të njëjtën formë siç e bën Serbia. Rusia poashtu ka qenë pjesë aktive e fushatës të ç’njohjeve të Kosovës, të cilën e ka bërë në partneritet me Serbinë“, tha Peci.

/GazetaBlic/