Sporti

Valdrin Haxhiu: Ndjenjë fantastike, mbrojtëm trofeun për herë të tretë radhazi – atmosfera në Mitrovicë ishte e jashtëzakonshme

02/19/2024 10:28
nga:E K

Trepça arriti që të fitoi trofeun e Kupës së Kosovës duke e mposhtur Prishtinën me rezultat 71:69.

Klubi mitrovicas e fitoi këtë trofe për herë të tretë radhazi dhe për kapitenin e kësaj skuadre, Valdrin Haxhiu ishte një ndenjë fantastike.

Haxhiu në një intervistë për GazetaBlic Sport tha se atmosfera e festimit ishte e mrekullueshme në gjithë qytetin e Mitrovicës në të cilin ishin mbledhur shumë tifozë dhe qytetarë për ta festuar këtë arritje.

“Sigurisht, trofeu i Kupës është trofeu i dytë për nga rëndësia në Kosovë, dhe duke e mbrojtur këtë trofe për vitin e tretë radhazi është një ndjenjë shumë e mirë. Në të njëjtën kohë, ky trofe është bileta për kualifikimet evropiane për vitin e ardhshëm, prandaj jemi shumë të lumtur që kemi arritur ta mbajmë në Mitrovicë. Përveç Torcides dhe tifozëve të Mitrovicës që ishin në palestër, festa ishte e jashtëzakonshme edhe në Mitrovicë, ku i gjithë qyteti ndoqi lojën në një monitor gjigant duke na pritur për të festuar së bashku deri në orë të vona.

Për momentin jemi liderë në tabelë dhe po shpresojmë që ta mbajmë deri në fund, për të pasur edhe përparësi në terrenin në play-off. Do të jetë një garë e fortë, ashtu siç po tregohet, pothuajse çdo vit në basketboll, në sportin numër një në Kosovë”, tha Haxhiu për GazetaBlic Sport.

Trepça aktualisht kryeson tabelën në elitën e basketbollit kosovar me 40 pikë, katër më shumë se ndjekësi më i afërt Peja.

/GazetaBlic Sport/