Lajme

Tre vjet nga fitorja/ Bajqinovci: Opozita na thoshte “s’mund t’i fitoni 50 %” – në zgjedhjet e ardhshme do të jemi më lart, opozita do të tkurret

02/14/2024 15:05
nga:G B

Sot janë bërë 3 vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi në zgjedhje nacionale.

Deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se për këto tri vite ka pasur sukses në çdo fushë.

“Për 3 vjet qeverisje kemi raporte ndërkombëtare që e vlerësojnë punën e qeverisjes Kurti për 3 vitet e fundit dhe renditemi 17 vende më lart për luftim të krimit dhe korrupsionit, jemi edhe nga World Justice Project shumë më lart, po ashtu sot e kemi një Kosovë ku sovraniteti është i shtrirë cep më cep dhe nuk i kemi më bandat kriminale dhe terroriste të cilat e kanë kontrolluar 18 për qind të territorit në veri të vendit”, shprehet ai.

Bajqinovci vlerëson se qeveria ka qenë stabile dhe kryeministri Kurti ka besueshmëri të jashtëzakonshme.

“Po ashtu, sot kemi një Qeveri shumë stabile me një votë prej 51 për qind, ku nuk ka pasur tendenca që të themi po rrëzohet këtë javë apo javën tjetër, qysh e ka promovuar opozita, e kemi një qeverisje që kemi menaxhim shumë cilësor në të gjitha fushat, duke filluar nga siguria, ekonomia, etj., dhe unë mendoj që për tre vjet qeverisje edhe sondazhet e fundit të cilat kanë treguar se jemi diku rreth 48.7 për qind, e që në vitin 2021 kemi qenë 44 dhe kemi dalë me 50.2, tregojnë se besueshmëria në kryeministrin Kurti është jashtëzakonisht e madhe dhe i keni parë dhe debatet në KS të OKB-së dhe përfaqësimin që e ka bërë kryeministri, mendoj që ai është një prej liderëve që nuk ka nevojë të diskutojmë për menaxhimin sidomos në aspektin ndërkombëtar të Kosovës”, potencon deputeti për Gazeta Blic.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, rezultatet që presin dhe deklaratat e opozitës se VV s’do t’i fitojë më kurrë 50 për qind, ai kujton se opozita u kishte thënë edhe në 2021 se s’ka shanse që t’i fitojnë 50 për qind, por i kanë fituar.

“Ju e dini që kjo opozitë dilte thoshte nëpër studio televizive që ju a jeni tranu, që nuk ka gjasa askush në Kosovë t’i marrë 50 për qind. Kemi parë deklaratat edhe të AAK-së, edhe PDK-së e LDK-së, ku thoshin se veç një budallë mund të mendojë kështu dhe i morëm 50.2 për qind, andaj unë mendoj se nuk diskutohet kjo çështje sepse vetë e kanë bërë sondazhin dhe ka dalë 50.2 për qind pa mërgatën”.

Sipas Bajqinovcit, në zgjedhjet e ardhshme VV do të jetë dhe më lart , ndërsa opozita do të tkurret.

“Besoj që do të dalim edhe më lart dhe kjo opozitë do të tkurret edhe më shumë, duke e ditur se sa e paaftë është të ketë më shumë kritika parimore, e jo veç gjithçka të jetë kundër qeverisë”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

Tre vjet nga fitorja e VV-së/ Quni: Asnjë ndryshim, është vjedhur koha e qytetarëve – deklarata e O’Brien shqetësuese