Lajme

Hoti: Deklarimet e O’Brienit duhet të merren me shumë shqetësim

02/14/2024 08:25
nga:N K

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar paralajmërimet e ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, ndaj Kosovës.

Hoti tha se deklarimet e ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim dhe sipas deputetit marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale.

“Deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve. Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme. Keq” ka deklaruar ai në Tëvë 1.

Tutje, Hoti ka thënë se në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi.

Ndryshe ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Në një intervistë për Shërbimin Shqip të Zërit të Amerikës, O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ai.