Lajme

Deklarimi i Kurtit për Asociacionin/ Krasniqi: Ka shkaktuar paqartësi, i pa definuar – deklaratat e SHBA-ve shqetësuese

02/12/2024 21:36
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është i vështirë procedimi i Asociacionit, pasi Serbia ka refuzuar nënshkrimin dhe respektimin e marrëveshjeve.

Kështu u shpreh ai në një intervistë për mediumin amerikan Bloomberg.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se deklarimi i Kurtit në këtë intervistë është i pa qartë dhe i pa definuar, derisa në Kosovë thotë se s’ka pranuar Asociacion.

“Kurti ka shkaktuar paqartësi të mëdha dhe nuk ka një qëndrim të qartë. Intervista që kam dëgjuar është një deklarim i pa qartë dhe i pa definuar. Në Kosovë, ai thotë se nuk ka pranuar asociacionin, ndërsa në mediat ndërkombëtare deklaron se e ka pranuar, por fajin e konsideron tek Serbia dhe shprehet se ai po pret nënshkrimin e asociacionit me padurim”, shprehet ajo.

Krasniqi kritikon Kurtin edhe për vendimin për dinarin, për mos koordinim me aleatët, duke shtuar se deklaratat e SHBA-ve janë shqetësuese për Kosovën.

“Kurti po bën vizita jashtë Kosovës, por këto nuk janë vizita me nivel të lartë, duke u përqendruar kryesisht në intervista dhe takime me përfaqësuesit e partive të majta. Në anën tjetër, ai merr vendime dhe delegon vendime tek Banka Qendrore, e cila është nën ndikimin e qeverisë, pa koordinim me partnerët. Deklaratat e SHBA-së janë shqetësuese për Kosovën, dhe vërejtjet e tyre nuk i bëjnë mirë situatës së vendit”, vlerëson deputetja për Gazeta Blic.

Ajo thekson se pret me interes vizitën e Blinken në Tiranë, duke shtuar se kundërshtojnë Asociacionin që Kurti e ka pranuar.

“Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po viziton Shqipërinë, dhe presim me interes çfarë do të thotë në lidhje me Kosovën. Ne kundërshtojmë asociacionin që Kurti ka pranuar dhe besojmë se nuk duhet të njihet si i përshtatshëm dhe i pranueshëm për shtetin”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

Kurti: Është e vështirë të procedoj me Asociacionin kur Serbia s’po e nënshkruan dhe s’po e respekton marrëveshjen

“Vështirë të procedoj Asociacionin shkaku i Serbisë”/ Deputetja e PDK-së për deklaratën e Kurtit: Puna e nënshkrimit është një lojë politike