Lajme

Tentim atentat ndaj kryeministrit Kurti

02/10/2024 12:47
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, masa të rrepta në Shkup.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

RTK ka mësuar se tashmë Kryeministri Kurti ka hyrë në Kosovë, dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit.

Gjatë ditës, RTK do të provojë që të publikojë edhe versionin sa më të plotë të kësaj përpjekje për atentatin e mundshëm ndaj Kryeministrit Kurti.