Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët në Ligën e Kombeve të edicionit 2024-25. Kosova do të përballet me Rumaninë, Qipron dhe fituesin e duelit Lituani – Gjilbratar.
Ish portieri i kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica ka theksuar se Kosova ndodhet në një grup mjaft të mirë – duke marrë parasysh edhe kundërshtarët që mund të kishim nga grupi C.
“Po, mendoj që është një grup relativisht i mirë duke marrë parasysh nga çfarë kombëtare përbehet grupi C i Ligës së Kombeve”, tha fillimisht Mushica për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas Mushicës, Kosova do të luftojë me Rumaninë për vendin e parë në këtë grup.
“Kombëtarja që merr vëmendjen e kombëtarës tonë është ajo e Rumanisë, me të cilët kemi pas përballje rishtazi dhe përveç rivalitetit në fushë, kujtojmë edhe momentet në Rumani që i kaluan futbollistët tanë. Pra me Rumaninë do të kemi rivalitet, që besoj nga ku edhe do të dal fituesi i grupit”, përfundoi ai.
Kujtojmë se ndeshjet e Ligës së Kombeve fillojnë në shtator të këtij vitit dhe përfundojnë në nëntor.
/GazetaBlic Sport/