Nënkryetarja e Prishtinës, njëherë edhe ushtruese e detyrës së Drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku, ka njoftuar se janë pajtuar që pagat të rriten dhe që greva e punëtorëve teknik në shkolla të Prishtinës të ndërpritet.
Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, me të cilin kanë diskutuar rreth kërkesës për rritje pagash.
“Dëshiroj të konfirmoj se jemi pajtuar që pagat të rriten dhe që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke mundësuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të pastër për nxënësit e kryeqytetit”, ka shkruar ajo.
Më 5 shkurt, punëtorët teknikë në shkolla të Prishtinës kishin nisur grevën, duke vendosur që të mos kthehen në punë me pagat aktuale.