Lajme

Reagimet për dinarin, Haradinaj: Euro si valutë e vetme përdoret edhe në Mal të Zi, 28% e popullatës janë serb dhe asgjë nuk e pengon zhvillimin e jetës së tyre

02/05/2024 20:06
nga:G C

Ish-Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla thotë se çështja e dinarit e ndaluar nga Qeveria e Kosovës, nuk duhet të diskutohet në Bruksel.

Haradinaj për GazetaBlic thekson se, Serbia ka synuar edhe më herët të përfshijë çështje tjera në Bruksel, por nuk iu lejuan.

“E drejta sovrane e Kosovës për t’i dhënë fund qarkullimit të paligjshëm të valutave tjera jo Euro është në përputhje me standardet e BE-së dhe aspiratat e saj në BE. Jo shumë kohë më parë, Serbia synoi pa sukses të përfshijë edhe Trepçën dhe transformimin e FSK-së si tema të dialogut në Bruksel. Kjo nuk u lejua asokohe, dhe as sot çështja e qarkullimit të dinarit brenda territorit tonë nuk duhet të lejohet të diskutohet në Bruksel. Kosova duhet të vazhdojë kursin e zgjidhjes së temave që pengojnë përparimin e zhvillimin tonë dhe krijojnë barriera artificiale për të ndaluar integrimin në BE”, tha Haradinaj.

Tutje Haradinaj tha se çështja e dinarit ishte paraparë të stopohet me marrëveshjen e Integrimit të Mbrojtjes Civile në vitin 2015, por sipas saj Serbia vazhdoi t’i fuqizoi strukturat paralele serbe në Kosovë.

“Për më shumë, çështja e ndalimit të pagesave nga Serbia në Kosovë në valutën dinar – ishte paraparë të stopohet me marrëveshjen e Integrimit të Mbrojtjes Civile në vitin 2015 – por Serbia jo që nuk i shpërbëu strukturat e saj paralele në Kosovë, por i “fuqizoi” me trajnime, financa, e armatim ushtarak në forca paramilitare kriminale – siç i kemi parë në Banjskë. Serbia përmes linjave të financimit, ndanë për Kosovën maksimalisht rreth 200 milion euro në vit. përveç pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale, mjetet që ndahen për investime kapitale, zakonisht përfundojnë tek kompanitë serbe të që janë në pronësi të Milan Radojcic-it. Realizimi i projekteve është tërësisht ilegal, pa transparencë, keqpërdorimet janë masive. Në kuadër të linjave buxhetore, ndahen miliona euro të cilat deklarohet se kinse vinë në Kosovë, por pjesa me e madhe e tyre, përfundojnë në duar të grupeve kriminale, organizatave terroriste dhe shfrytëzohen për qëllime politike të pushtetit në Serbi”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka përmendur edhe deklaratën e Vuçiqit ku tha se Serbia ndanë deri në 800 milion euro për Kosovën.

Ajo tha se përfundimin e 600 milion eurove të tjera mundë ta dijë vetëm Vuçiqi e SNS.

 “Vuçic në Shtator 2022 në Kuvendin e Serbisë ka deklaruar se Serbia ndanë deri në 800 milion euro për Kosovën. 600 milion euro në vit, nuk dihet fare se ku përfundojnë. Këtë e dinë mbase vetëm Vucic dhe SNS. Serbia deri me tani ka financuar në mënyrë jo transparente në Kosovë, në kundërshtim me ligjet në fuqi, Kushtetutën tonë dhe praktikat ndërkombëtare. Serbia ndanë mjete buxhetore për financime në Kosovë, duke e trajtuar shtetin tonë si “pjesë integrale të saj””, shtoi tutje Haradinaj.

Sipas Haradinajt, BE-ja do të duhej të sigurohet se ndërton një mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sepse sipas saj moszbatimi dhe humbja e rëndësisë së tyre po na dështon në terren.

“Bashkësia ndërkombëtare specifikisht Bashkimi Evropian – do të duhej të sigurohet se ndërton një mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sepse moszbatimi dhe humbja e rëndësisë së tyre po na dështon në terren – siç është çështja e mosfunksionalizimit të kufijve me marrëveshjen e IBM, çështja e moshapjes së Urës së Ibrit për liri të lëvizjës, apo çështja e marrëveshjes për shuarjen e strukturave paralele dhe ndalimit të pagesave nga Serbia – të gjitha këto tema janë trajtuar në dialog më parë por është çështje mosimplementimi nga ana e Serbisë për të vazhduar t’i mbajë peng serbët e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, tha Haradinaj.

Për shkak të mungesës së transparencës dhe tendencave të Serbisë për t’i instrumentalizuar serbët në Kosovë, ata shantazhohen në vazhdimësi. Grupet kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi, janë fuqizuar tej mase. Qytetarët që obligohen t’iu shërbejnë interesave të Serbisë, marrin nga dy paga / përfitime, ndërsa të tjerët, penalizohen dhe jetojnë në varfëri. Për shkak të ndikimeve, instrumentalizimit dhe kërcënimeve, institucionet e Kosovës po e kanë çdo ditë e më vështirë për t’iu dalë në ndihmë kësaj kategorie. Prandaj ky instrumentalizim duhet të marrë fund dhe marrëveshjet të zbatohen përfundimisht”, shtoi ajo.

Ndërsa, Haradinaj shton se ndalimi i dinarit dhe ky alarm në Serbi më shumë ndërlidhet e përfitimet që ka ky pushtet.

Ajo përmend edhe faktin se në Mal të Zi, qytetarët funksionojnë pa asnjë problem me valutën euro, ku 28% e popullatës janë serb,

“Alarmi në Serbi për ndalimin e dinarit, më shumë ndërlidhet me përfitimet që ka pushteti në Serbi / SNS, pasi që transparenca kufizon mundësitë për vazhdimin e keqpërdorimeve masive. Për më shumë, Euro si valutë e vetme përdoret edhe në Mal të Zi ku 28% e popullatës janë serb dhe asgjë nuk e pengon zhvillimin e jetës dhe mirëqenies së tyre si komunitet”, tha Haradinaj për GazetaBlic.

Çështja e dinarit, Humolli për kritikat e ndërkombëtarëve: Po i ndihmojnë shovenizmit serb, kurrë s’kanë qenë korrekt me të drejtat e shqiptarëve