Lajme

Zlatan Arsiq lirohet nga akuza për krime lufte në Kosovë

02/05/2024 09:57
nga:G B

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Zlatan Arsiq nga akuza për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999.  

Aktgjykimi është shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e PSRK-së e ngritur më 28 korrik 2023, ngarkon Zlatan Arsiqin se në mars të 1999-ës para bombardimeve të NATO-s, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policies, duke iu drejtuar me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

Më pas, thuhet se të dëmtuarin e kanë rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë. E kur i dëmtuari disa ditë pas maltretimit ishte kthyer në shtëpinë nga ku ishte dëbuar dhe e cila i ishte djegur, në oborr i akuzuari e kishte goditur me shuplakë dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje, e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij.

Arsiq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, bashkë me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkur shtëpië dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, po morën pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU.