Sporti

Zeka: Dua ta ndihmoj Suharekën që të ngjitet në Superligë, ky ishte qëllimi im kur iu bashkova klubit

02/04/2024 11:25
nga:E K

Dje u zhvilluan katër ndeshjet e fazës së 1/8 të finales së Kupës së Kosovës, ku u mësuan 4 çerekfinalistët e parë.

Mes skuadrave që kaluan tutje ishte edhe Suhareka që arriti ta mposht Prishtinën e Re me rezultat 3-1, shkruan GazetaBlic Sport.

Realizatori i këtij takimi, Mevlan Zeka komentoi fitoren e skuadrës së tij duke e cilësuar si tejet të rëndësishme para fillimit të pjesës së mbetur të sezonit në Ligën e Parë të Kosovës.

Zeka ndër të tjerash tha se objektivi i tij është që ta ndihmoj skuadrën të ngjitet në Superligën e Kosovës pasi që ky ishte edhe qëllimi i tij kur iu bashkua skuadrës.

Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, kemi qenë 2 javë në Antalya dhe kemi kryer fazën përgatitore të të gjithë futbollistëve pa asnjë lëndim dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

E kemi filluar me Kupën e Kosovës, ku ishte fitorja e parë në fillim të 2024 dhe besoj që me këtë skuadër mund të arrijmë objektivat e klubit, duke parë një organizim që skuadra vërtet e meriton Superligën. Objektivat e mia janë që normalisht t’i ndihmoj skuadrës me sa më shumë gola dhe me gjithçka tjetër për inkuradrimin në Superligë, sepse për këtë kemi shkuar tek FC Suhareka“, tha Zeka për GazetaBlic Sport.