Lajme

Si do të ndikojë në gjykimin e Thaçit largimi i avokatit Gregory Kehoe?

01/31/2024 20:38
nga:G B

Para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara, Thaçi dhe të tjerët kanë dalë edhe këtë të mërkurë, dhe tashmë asgjë nuk është e pazakontë në këtë proces.

Veçse në gjykatore mund të jetë hera e fundit që nën petkun e avokatit të Hashim Thaçit këtu paraqitet Gregory Kehoe.

Siç u bë e ditur një ditë më parë, ai me gjithë ekipin e tij po largohet nga kjo përgjegjësi për mungesë të financimit, temë kjo që u diskutua edhe në seancën e kësaj të mërkure veçse jo me praninë e kamerave.

Mirëpo tërheqja e Kehoe me ekip në këtë pikë të ndjeshme të gjykimit po shihet problematike.

“Do të ketë një ndikim negativ në mbrojtjen apo përfaqësimin e Hashim Thaçit, dhe të tjerëve në këtë proces për arsye se tani procedura ndodhet në një fazë të ndjeshme, në atë të shqyrtimit kryesor ku administrohen provat e prokurorisë dhe dëgjohen dëshmitarët”, ka thënë avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK).

Gregory Kehoe, që nga fillimi nuk ishte paguar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Zyra për mbrojtjen e të akuzuarve potencial të Gjykatës Speciale që funksionon në kuadër të MD-së, kjo pasi me legjislacionit në fuqi, shteti paguan vetëm një avokat me ekip përcjellës, që në këtë rast është Luka Misetiq.

Mirëpo sipas ish-sekretarit të MD-së thotë se nëse ka nevojë për ndryshime në udhëzim administrativ, institucionet duhet ta bëjnë.

Vlerësoj se aspekti financiar nuk do duhej të ishte pengesë për mbulimin e shpenzimeve, për faktin se me rastin e miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në pot ë njëjtën seancë është miratuar edhe Ligji që garanton mbrojtje juridike, dhe mbështetje financiare personave të akuzuar, shto këtu faktin që ata nuk akuzohen në kapacitete personale por si ish-krerë të UÇK-së”, ka thënë Ardian Bajraktari.

Fondacioni që kishin paguar për ekipet shtesë të mbrojtjes së Thaçit gjatë ditës kanë bërë një reagim të cilët kanë kërkuar ndihmë nga dora e institucioneve.

“Sidoqoftë, deri më tani, pothuajse i gjithë angazhimi i ekipeve të mbrojtjes të z. Thaçi është mbuluar nga kontributi i familjarëve dhe njerëzve vullnetmirë, të cilët i falënderojmë përzemërsisht për përkrahjen. Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vite, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion jemi të shqetësuar për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes. Duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontributdhënësit, kërkojmë që çështja e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga institucionet e vendit”, thuhet në njoftim e Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.

MD-ja gjatë së martës ka sqaruar se kanë Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiç dhe të njëjtit i realizohen të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatet tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave.’