Policia e Kosovës këtë të mërkurë të 31 janarit e ka kryer edhe një operacion vazhdim me atë të djeshit, zyrtarët policor kanë ndërhyrë edhe tek një shtëpi private ku kanë hasur në disa thasë të tjerë që besohet të jenë me rërë.
Këtë e konfirmoi Veton Elshani, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Ai ka shtuar se thasët në fjalë besohet të kenë qenë aty që nga koha e barrikadave në vitin 2022.
“Hyrjen në atë shtëpi e kemi bërë në prezencë të pronarit të shtëpisë i cili njëherësh është edhe pronar i shtëpisë ku dje i kemi konfiskuar disa pajisje të lojërave të fatit. Pronari momentalisht është duke u intervistuar”, ka thënë Elshani.
Policia dje në Zveçan e ka realizuar një bastisje tek lokali i personit në fjalë ku bëhet fjalë për një bastore sportive ilegale, ku edhe janë konfiskuar monitor, televizorë dhe dinarë serb. Po ashtu dje janë gjetur edhe disa thasë të tillë të tjerë nga policia.