Lajme

Edi Rama: Paga mesatare e mësuesve do shkojë 950 euro

01/30/2024 12:58
nga:Y I

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në takimin e mbajtur në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal dhe te rroga e mësuesve, për të cilën tha se paga e tyre shumë shpejt do të shkojë drejt një mesatareje prej 950 euro.

Rama theksoi se qeveria duhet të ndryshojë gjithashtu mekanizmin e rritjes çdo 5-vjet të pagës duke u bazuar vetëm te vjetërsia e mësimdhënësve.

“Shqipëria sot ka një portë të re të të ardhmes së saj në aspektin ekonomik dhe reflektim i këtij fakti janë rritjet domethënëse të pagave të cilat do të vazhdojnë. Në ndërkohë që ne sot jemi në kushtet që mund ta vëmë shumë më tepër se dje, potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë dhe familjeve shqiptare, përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë përpara të gjithëve ne, nevojën për kapital njerëzor, për njerëz të kjualifikuar dhe forca pune në të gjitha nivelet. Ky nuk është moment që ka vetëm një zgjidhje është një moment që kërkon shumë zgjidhje dhe jo vetëm në arsim. Ama fokusi te arsimi është jetik, pasi fatmirësisht nuk jemi më në kohën që ishim, jo përpara 100 vjetësh, por disa kohë më parë, kur mësuesit ishin të braktisur dhe të pa mbrojtur. Nuk jemi më në kohën që ishim kur vendi i secilit prej jush këtu përcaktohej nga partia, përcaktohej nga lidhjet politike dhe nga arbitrariteti i ryshfetit. Sot jemi në një kohë tjetër, ku çdo mësues e ka vendin e garantuar për shkak të aftësisë së vet. Dhe askush nuk e lëviz dot nga vendi për asnjë arsye tjetër që nuk është ngushtësisht e lidhur me profesionin, ama ky është themeli fillestar, por nuk mjafton. Ashtu si nuk mjafton edhe rritja e pagave.

Pagat së shpejti për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin. Mekanizmin e rritjes çdo 5-vjet për shkak të vjetërsisë në punë, ne duhet ta reformojmë komplet”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri theksoi se përveç pagës uniforme, mësuesit duhet të kenë dhe nivele të ndryshme pagash duke u bazuar tek meritat dhe kontributet e tyre.

“Ne duhet të bëjmë të mundur se përveç pagës uniforme, garancisë bazë për të gjithë të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Për këtë na duhet një sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh dhe kreditesh”, tha Rama.