Lajme

Begaj takohet me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, vlerëson mbështetjen që shteti turk i jep Kosovës

01/29/2024 18:44
nga:G B

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

Begaj e vlerësoi mbështetjen që Turqia jep për integrimin e Kosovës në organizmat rajonale dhe globale, si dhe lobimet e saj të fuqishme për njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës.

Më tutje, Begaj bisedoi me ministrin turk për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zhvillimet rajonale.

Po ashtu presidenti vlerësoi se Shqipëria dhe Turqia janë partnere strategjike dhe kanë një miqësi tradicionalisht shumë të mirë.

“Bashkëpunimi shqiptaro-turk, në të gjitha fushat, është një bashkëpunim i frytshëm”, tha Begaj, shkruan euronews.

Begaj i përcolli Fidanit falënderimet për ndihmën që Turqia i ofroi Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit, por edhe për investimet e tjera në vendin tonë.

Turqia është ndër partnerët ekonomikë më të mëdhenj në Shqipëri dhe investimet turke kanë të punësuar më shumë se 15 mijë shqiptarë në vendin tonë.

“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla të rëndësishme për politikën shqiptare, që garantojnë paqe, siguri, stabilitet demokratik në rajon, si dhe janë parakushte për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”, vlerësoi Begaj.

Begaj e vlerësoi rolin dhe kontributin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor si një partner i natyrshëm e historik për paqen dhe sigurinë e rajonit.