Lajme

Me kërkesë të avokatit, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të Urbanizmit në Gjakovë dhe dy zyrtareve tjerë

01/29/2024 15:46
nga:N K

Me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Agron Gojani, avokatit Granit Vokshi është shtyrë seanca fillestare, në rastin ku përveç Gojanit për korrupsion në bashkryerje po ngarkohen edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, dhe zyrtari Zenel Shabani.

Në lidhje me propozimin e avokatit Vokshi, gjykatësi Ilir Rashkaj bëri të ditur se në bazë të parashtresës së dorëzuar i njëjti mungon në seancën e sotme për shkak se është i angazhuar në një çështje tjetër gjyqësore në Departamentin Special, duke kërkuar nga gjykata që seanca e sotme të caktohet për një datë tjetër.

Në këtë seancë munguan edhe i dëmtuari Petrit Morina së bashku me mbrojtësen e tij, avokate Edona Sina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Rashkaj tha se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës së sotme.

Sipas aktakuzës më 10 qershor 2020, në objektin e Komunës së Gjakovës, të pandehurit e lartcekur, duke vepruar si bashkëkryerës e duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për personin Teki Dobruna.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Bakalli, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis në Komunën e Gjakovës, në kundërshtim me ligjin ka lëshuar vendim për leje ndërtimi të ndërtesës shumë banesore, ndërsa i pandehuri Gojani në cilësinë e urbanistit në Sektorin për Planifikim dhe Rregullim Urban, njëherit bartës i lëndës pranon që të lëshohet leja e lartcekur.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Shabani, si zyrtar i lartë për çështje juridike pranë kësaj drejtorie harton vendimin për pajisje me leje ndërtimi të lartcekur sipas kërkesës së personit Teki Dobruna, dhe atë në kundërshtim me nenin 21 par.1 dhe 2 të Ligjit për Ndërtim, dhe në kundërshtim me Planin Rregullues Urban ‘’Jugu 2’’, ashtu që me këtë veprim investitorit ia lejojnë ndërtimin e objektit duke ia mundësuar përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së sipërfaqes së objektit prej rreth 563 m2,

Me këtë rast ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 të KPRK-së.