Lajme

Uk Lushi: Çfarë arritje qenka Talat Xhafer kryeministër procedural, edhe ai si Abazoviq do t’i kryejë ca punë për të tjerët dhe jo shqiptarët

01/28/2024 16:47
nga:G B

Veprimtari Uk Lushi, ka thënë se shqiptarët mashtrohen me hi syve, derisa ka thënë se nuk është arritje që Talat Xhaferi të jetë kryeministër procedural dhe noterial, derisa shqiptarët janë 40 për qind e popullatës dhe gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtarë në Maqedoninë Veriore, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sikur Dritan Abazoviq, edhe Xhaferi do të kryejë ca punë që çojnë ujë në mulli të tjerëve përpos shqiptarëve.

Ai ka shtuar se shqiptarët në Maqedoni do të jenë të barabartë, vetëm kur të jenë komb shtetformues, me gjuhën shqipe gjuhë zyrtarë dhe kur të kenë të drejta sikur maqedonasit.

Postimi i tij i plotë:

Dhe si zakonisht shqiptarët mashtrohen me hi syve. Çfarë arritje qenka Talat Xhaferi KM procedural dhe noterial kur shqiptarët janë 40% e popullatés dhe gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në krejt Maqedoninë Veriore? Si mund mashtrohen shqiptarët me spaleta marrëveshjesh të establishmenteve etnike klanore kur barazia qëndron në organet e shtetit dhe institucionet ku shqiptarët nuk janë të përfaqësuar dhe shpesh fare të pranishëm?!

Ju kujtohet Dritan Abazoviqi nga Ulqini? Çka bëri ai për shqiptarët? Asgjë. Ashtu si Dritan Abazoviqi edhe Talat Xhaferi do të kryej ca punë që çojnë ujë në mullirin e çdokujt përveç të shqiptarëve kurse shqiptarëve do të na mbetet vetëm dalldia e tribuve që ngazëllehen nga shkëlqimi i pasqyreve dhe xhinglave.

Shumica nga ne, si duket, duam formalen dhe jo substancialen.

Shqiptarët në Maqedoni do të jenë të barabartë vetëm kur të jenë komb shtetformues, kur gjuha shqipe të jetë zyrtare në çdo cep të Maqedonisë dhe kur shqiptarët të kenë çdo të drejtë sikur maqedonasit sllavë. Për këto shqiptarët duhet të japin 1 milionë Talatër e Ali Ahmetër.