Lajme

QUINT i kërkojnë Kurtit “të shtyjë” vendimin për ndalim të dinarit: Duhet periudhë më e gjatë kohore

01/28/2024 12:49
nga:G C

Shtetet e QUINT’it kanë dalë më një reagim për rregulloren e re të BQK’së, e cila e përjashon dinarin për kryerjen e transaksioneve në Kosovë, duke shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin e Rregullores te komunitetet me shumicë serbe.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës (BKK) për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparencën e flukseve të parasë në Kosovë, ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe.”

QUINT’I thotë se janë të shqetësuar për ndikimin e rregullores në shkolla dhe spitale dhe tek serbët lokalë të cilët marrin përkrahje financiare nga Serbia.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.”

QUINT’i ka bërë të ditur se nga kryeministri Kurti kanë kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores dhe se kjo duhet të diskutohet tutje në kuadër të dialogut.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së.”