Sporti

Skuadra e rangut të gjashtë anglez eliminon Ipswichin e Championshipit nga FA Cup

01/27/2024 16:18
nga:E K

Skuadra e rangut të gjashtë të futbollit anglez, Maidstone United, shkaktoi një tronditje të madhe në raundin e katërt të FA Cup duke eliminuar skuadrën e vendit të dytë të Championshipit anglez, Ipswich Town në Portman Road.

Kundërsulmet e shkëlqyera nga Lamar Reynolds dhe Sam Corne – goditjet e vetme të Maidstone në shënjestër – u dhanë një fitore mahnitëse skuadrës së vogël ndaj një skuadre 98 vendesh mbi ta në piramidën e futbollit.

Ipswich hyri në lojë me shumë ndryshime, ekip ky që është i dyti në kategorinë e dytë dhe që kërkon ngjitjen në Premier League, dominoi kundërshtarët në pjesën e parë, duke goditur tre herë shtyllat dhe duke humbur shumë raste.

Si zakonisht, kur nuk shënon – pëson. Kështu ndodhi edhe në këtë ndeshje, kur në minutën e 43-të Maidstone përmes Reynolds arritën të kalojnë në epërsi.

Mbrojtja e fortë e Maidstone u thye më në fund kur gjuajtja e ulët e Jeremy Sarmiento (‘56) u devijua paksa, duke mposhtur portierin Lucas Covolan.

Por, skuadra e Championshipit iu gëzua këtij goli vetëm 10 minuta, pasi Sam Corne i Maidstone riktheu epërsinë në minutën e 66-të.

Ky rezultat mbeti deri në fund të ndeshjes. Kështu, Maidsonte bëhet skuadra e parë nga Liga Kombëtare Veri ose Jug që arrin në 16-shen e fundit në FA Cup që kur ndarja rajonale u prezantua në 2004