Sporti

Ekskluzive| Andrea Stramaccioni: Interi më i strukturuar se Juventus për titullin, Asllani duhet të bëjë hapin e madh

01/27/2024 12:29
nga:Mergim Rreci

Andrea Stramccioni është njëri ndër emrat më të njohur të trajnerëve në futbollin italian.

Stramccioni ishte trajner i Interit për më shumë se një vit, që nga 26 mars 2012 deri më 24 maj 2013, atje ku arriti 31 fitore nga 65 ndeshje sa i drejtoi në krye të ‘Neruazzurëve’.

Stramaccioni e kishte pasuar Claudio Ranierin e shkarkuar, duke përfunduar në vendin e gjashtë gjatë këtij edicioni, por gëzoi tifozët e Interit me fitoren në derbi ndaj Milanit, humbje kjo që ndikoi që ‘Rossonerët’ në fund të mos shpalleshin kampion.

Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar edhe disa skuadra të tjera si: Panathinaikos, Udinese, Sparta Pragë, Esteghlal dhe Al Gharafa.

‘GazetaBlic Sport’ ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me trajnerin italian, Andrea Stramccioni, duke diskutuar për disa tema të ndryshme rreth futbollit italian, në veçanti skuadrës së Inter.

Fillimisht, Stramaccioni u pyet se cilën skuadër e sheh si më favorite për titullin në Serie A, Interin apo Juventusin.

Kjo është një pjesë e parë e mrekullueshme dhe emocionuese e sezonit në Serie A, Interi dhe Juventusi janë sfidues për të marrë kruen. Unë mendoj se Inter është më i strukturuar për të fituar titullin dhe ata po luftojnë për të fituar një qëllim historik: Yllin e dytë në fanellë. Juventusi ka më pak përvojë si një grup lojtarësh, por është më i freskët dhe pa konkurrencë evropiane për të luajtur, mund të jetë 100% duke i fokusuar të gjitha energjitë në Serie A“, tha fillimisht trajneri Stramaccioni për ‘GazetaBlic Sport’.

Tutje, ai u pyet nëse e sheh akoma Milanin si një kandidat të mundshëm për titull, ku tha se ‘Rossonerët’ kanë një formacion shumë të mirë, por që si grup i përgjithshëm nuk e ka fuqinë e dy skuadrave të para në renditje.

Mendoj se AC Milan ka një formacion shumë të mirë, por si grup i përgjithshëm nuk ka fuqinë e dy skuadrave të para. Por ndryshimi nuk është aq i madh, kështu që unë mendoj se ata mund të arrijnë majat së shpejti“, vazhdoi tutje Stramaccioni.

Ka diskutime të mëdha për të ardhmen e Lautaro Martinez se a do të vazhdojë kontratën e tij me Interin apo jo. Stramaccioni ishte i bindur se ai nuk do të largohet nga ‘Neruazzurët’.

Lautaro tani përfaqëson Interin si lider dhe si kapiten. Jam shumë i sigurt se ai do të rinovojë dhe do t’i bashkohet të ardhmes së tij tek “Neruazzurët”, pavarësisht interesimit që ka rreth tij”, shtoi tutje trajneri italian.

Krejt në fund, Stramaccioni u pyet edhe për mesfushorin shqiptar të Interit, Kristjan Asllani, ku tha se po përmirësohet dita ditës dhe se ai u përmirësua shumë që kur u transferua tek ‘Neruazzurët’.

Që kur erdhi tek Inter, ai u përmirësua shumë. Ditë pas dite ai fiton pozicionin e rëndësishëm të zëvendësuesit të Hakan Chalanoglu. Ai tani duhet të bëjë hapin e fundit, të përmirësojë paraqitjet e tij dhe t’u tregojë të gjithëve se mund të jetë organizator i lojës së Interit. Nesër në Firencë, me Hakanin të pezulluar, ka një shans të madh të startojë nga minuta e parë“, përfundoi Stramaccioni.

/GazetaBlic Sport/