Lajme

Avokatja e Naim Murselit flet për GazetaBlic, tregon çka dëshmoi ai sot para Departamentit për Krime të Rënda

01/24/2024 17:40
nga:Genita C

Avokatja e Naim Murselit, i dyshuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes Liridona Ademaj, Teuta Zhinipotoku ka dhënë detaje për GazetaBlic rreth asaj se çfarë dëshmoi sot i pandehuri para Departamentit për Krime të Rënda.

Zhinipotoku theksoi se, Murseli ka deklaruar se ngjarja nuk është ashtu siç u publikuar në media.

“Sot para Prokurorisë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtimin e veprës penale ‘vrasje e rëndë në bashkëkryerje’, nga neni 173, paragrafi 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KP-së…I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”, ka thënë Zhinipotoku.

Zhinipotoku shton se, deklarimi i tij s’ka arritur të përfundojë se seanca është caktuar për një datë tjetër.

“Meqë sot është ndërprerë deklarimi i të pandehurit për shkak të mbarimit të orarit dhe deklarimi s’ka arritur të përfundojë, është caktuar një datë tjetër për vazhdimin e marrjes në pyetje të të pandehurit”, tha avokatja e Murselit për GazetaBlic.