Prokuroria Themelore në Prizren , ka ngritur aktakuzë ndaj referentit të Zyrës kadastrale të Drejtorisë urbanizëm, kadastër dhe mbrojtjen e mjedisit në Dragash, për shkak të dyshimit se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, nën cilësinë e personit zyrtar – ai kishte shfrytëzuar detyrën me qëllim të përfitimit.
“Me datë 02.11.2021 jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare, përpilon Shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilin e nënshkruan dhe e vulos me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, madje pa e protokolluar fare të njëjtin, ia dërgon Gjykatës, në të cilin shpjegim i ka paraqitur sqarimet – arsyet e tij se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B., në personin tjetër H.B., me çka i shkakton dëm të dëmtuarit D.B., në vlerën e ngastrave kadastrale prej 250,000.00 euro. “
Sipas njoftimit zyrtar, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.