Lajme

Shefi i zyrës së BE-së dhe Ambasadori Rohde i kërkojnë Qeverisë t’i ndalë sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese

01/24/2024 10:05
nga:N K

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se zbatimi selektiv i ligjit (a la carte) nuk i hap derën Kosovës as në Këshillin e Europës as në Bashkimin Europian.

Ai e kishte fjalën për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Rohde tha se këtu e ka shqetësimin e njëjtë me kolegun e tij, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili dje u takua me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndaj edhe këtu shqetësimin e kolegut tim të BE-së. Sundimi i ligjit “à la carte” nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Europës as Bashkimit Europian! Mbështetja e Kosovës në rrugën e saj të integrimit europian është e përzemërt, por edhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj”, ka shkruar Rohde në X, duke shpërndarë edhe postimin e Szunyog.

Ky i fundit në takim me kryetaren Arta Rama Hajrizi ka theksuar se Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimi dhe presioni politik.

“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit”, ka shkruar dje Szunyog në X.

Për çështjen e Manastirit të Deçanit dje ka folur edhe eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në PE, e cila tha se raportuesve të Këshillit të Europës, që erdhën në Kosovë, u është thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta zbatojë këtë vendim.

“Me rastin e Deçanit që nuk zbatohet prej vitesh dhe mungesës së vullnetit politik për të ecur përpara në këtë drejtim, madje edhe kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit të Europës duke u thënë se kjo Qeveri nuk do ta bëjë, nuk ua lehtëson anëtarëve të Këshillit të Europës që të ecin përpara me aplikimin”, kishte thënë dje ajo.