Lajme

Kadrijaj: Qeverisë s’i kanë interesuar bizneset, por plotësimi i apetiteve të militantëve të vet

01/22/2024 09:06
nga:G B

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj deklaron se shuarja e bizneseve duhet të jetë shqetësuese për institucionet e vendit.

Sipas tij, shuarja dhe hapja e bizneseve në Kosovë është fenomen që ndodhë në vazhdimësi.

“Shuarja dhe hapja e bizneseve është diçka që në vazhdimësi ndodhë në Kosovë, por kjo shuarja duhet të jetë shqetësim për institucionet tona, këtu Ministria e Tregtisë ose ka mosdisponim të njerëzve që mos të hapin biznese dhe të punojnë në Kosovë, dhe tash kur po flasim ka një disponim për t’u larguar nga vendi dhe kjo mendoj se është njëri ndër faktorët, por njëherit besoj që ndoshta edhe Ministria nuk ka mundësi të mira që bizneset ta shohin veten që të hapin biznese”, ka deklaruar ai për Front Online.

Ai, thotë se Qeveria nuk ka krijuar politika të mirëfillta për prodhuesit vendor, derisa shton se kësaj të fundit i ka intërësuar vetëm plotësimi i apetiteve të militantëve të vet.

“E gjithë barra duhet të mbetet tek Qeveria e Kosovës, tek institucionet tona sepse për çdo sukses Qeveria i merr lëvdatat në veten e parë, pra edhe për çdo dështim duhet t’i ngarkohet Qeverisë sepse këtu po shihet që nuk ka pas politika të mirëfillta. Kësaj qeverie nuk i ka interesuar fort ekonomia e tregut, nuk i kanë interesuar bizneset, më shumë i kanë interesuar që t’i plotësojë apetitet e votuesve dhe militantëve të vet, por jo që jetë pro bizneseve”, është shprehur Kadrijaj.

Kurse, sa i përket eksportit, Kadrijaj deklaron se Qeveria ka rënë ndesh me deklarimet e veta.

Sipas tij, në momentin kur në një shtet ka më shumë import prodhuesi vendor ngulfatet.

“Këtu bien ndesh deklarimet e Qeverisë që i kanë përkrah prodhuesit vendor, pra këtu po shihet që nuk ka pas efekt dhe po shihet që kemi pas rënie të eksportit. Në momentin që kemi import ngulfatet prodhimi vendor, por ndoshta për Qeverinë nuk është shumë problem sepse asaj i intereson që ta mbush arkën e shtetit, por në momentin që ke import më të lartë është shumë e qartë që dëmtohet prodhimi vendor”, ka shtuar ai.

Për çështjen e eksportit të martën ka shkruar edhe zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi,i cili ka thënë se eksportet për vitin 2023 kanë rënë për 101 milionë euro.

Derisa sipas tij, deficiti tregtar i vitit 2023 ka shkuar në 4.84 miliardë euro.

Rukiqi thotë se kjo rënie drastike në eksport dhe thellimi i deficitit tregtar tregojnë dështimin e hapur të Qeverisë Kurti sa i përket aspektit ekonomik.

Ai thotë se ka shenja të qarat nga tregu, se rënia e eksporteve në vitin 2023 është edhe si rezultat i sanksioneve që erdhën pas përplasjes së Kurtit me aleatët.

Në vitin 2023, Kosova eksportoi më së shumti dyshekë, ndërsa importoi më shumë naftë, sipas një tabele të publikuar të mërkurën nga Instituti GAP, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës.

GAP publikoi 10 kategoritë e produkteve më të eksportuara dhe importuara nga Kosova më 2023.

Në listën e eksporteve, dyshekët prin me 12.1 për qind të eksportit. Plastika zë vendin e dytë me 6.6 për qind, ndërsa tuba prej çeliku dhe hekuri renditen në vendin e tretë.

Pijet freskuese (4.2%), mobilie (3.9%), mbetje dhe skrap hekuri (3.7%), struktura të hekurit apo çelikut (2.8%), energji elektrike (2.4%), pllaka dhe shirita prej plastike (2.4%) dhe kostume (2%) – janë në listën e produkteve më të eksportuara nga Kosova.

Në listën e importeve, nafta është e para me 10.2 për qind, ndjekur nga vetura dhe mjete të tjera motorike 7.9 për qind dhe tuba prej hekuri apo çeliku 2.5 për qind.