Lajme

Kinë: 47 persona bllokohen nën rrënoja nga rrëshqitja e dheut

01/22/2024 07:27
nga:G B

Të paktën 47 persona janë mbetur të bllokuar nën rrënoja si pasojë e një rrëshqitje dheu të hënën në mëngjes në provincën jugperëndimore kineze të Yunnan, sipas mediave shtetërore.

Presidenti i vendit, Xi Jinping ka kërkuar përpjekje të gjithanshme të kërkim-shpëtimit në mënyrë që të minimizohen viktimat sa më shumë që të jetë e mundur, transmeton Klankosova.tv.

Përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në temperatura nën zero në qytetin Zhaotong. Ende nuk dihet nëse dikush ka vdekur.

Videot nga mediat lokale treguan se shpëtimtarët punonin mes ndërtesave të shembura.

Në videot që qarkullojnë në mediat sociale, shpëtimtarët mund të shihen gjithashtu duke ecur mbi grumbuj rrënojash kundër një sfondi malesh të larta të mbuluara me borë, me sende personale të shpërndara midis muraturës së shembur.

Një burrë është shpëtuar, raportoi media lokale The Paper.

Më shumë se 500 njerëz janë evakuuar gjithashtu nga rajoni pas incidentit, sipas People’s Daily.