Lajme

Mesazhi që avokati i Sandulloviqit e la pranë varrit të Blerina Jasharit

01/18/2024 16:24
nga:G B

Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikolla Sandulloviq, ka vendosur sot lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë në Prekaz.

“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më Fal’”, thuhet në letrën e lënë nga Stojkoviq në tri gjuhë.

Në një prononcim para gazetarëve, ai ka thënë se nesër do të shkojë ne Beograd dhe se nuk frikohet sepse sipas tij, është obligim të bëjë atë që është e drejtë dhe e duhur.

“Do të shkoj në muze dhe të shoh se çfarë ka ndodhur këtu. Do të shkruaj këtë në librin tim”, ka thënë ai, raporton Klankosova.tv.

Në fillim të këtij viti, politikani opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, u arrestua nga BIA serbe pasi postoi në profilin e tij në X një video ku shihej duke vendosur lule te varri i Blerina Jasharit. Ai u rrah rëndë nga pjesëtarë të BIA-s.