Lajme

Vitia: 11 minatorë janë liruar nga Spitali, dy tjerë janë në mbikëqyrje mjekësore por jashtë rrezikut për jetën

01/17/2024 21:41
nga:G B

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se 11 nga minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës janë liruar nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ndërsa dy të tjerë po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor.

Përmes një postimi në Facebook, Vitia tha se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

“Trembëdhjetë minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës, kanë marrë trajtim shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Njëmbëdhjetë nga ta, pasi morën trajtimin shëndetësor janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa dy të tjerë të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikqyrje dhe kujdesin mjekësor të mjekëve dhe infermierëve. Ata nuk kanë rrezik për jetën”, shkruan Vitia.

Ai u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

“Përgëzoj stafin shëndetësor të Spitalit të Mitrovicës që ishte në krye të detyrës dhe me profesionalizëm ofroi kujdesin shëndetësorë për minatorët e lënduar. Minatorëve të lënduar iu uroj shërim e rikthim të shpejtë në familje dhe në punën e vyeshme të Minatorit”, shkruan ministri.

Ndryshe, Ndërmarrja Trepça ka thënë se incidenti ka ndodhur gjatë pastrimit të gypave me acid sulfurik.