Lajme

Papa dënon sulmin e Iranit ndaj kurdëve në Irak

01/17/2024 12:46
nga:Y I

Papa Françesku dënoi sulmin me raketa iraniane në Kurdistan, në Irakun verior dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sulmet raketore të Iranit kanë thelluar shqetësimet për rritjen e paqëndrueshmërisë në të gjithë Lindjen e Mesme, ku lufta midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdon, me aleatët e Iranit nga Libani, Siria, Iraku dhe Jemeni të përfshirë në konflikt, sipas Reuters.

“Shpreh afërsinë dhe solidaritetin tim me të gjitha viktimat civile të sulmit me raketa në Erbil, kryeqyteti i rajonit autonom të Kurdistanit irakian. Marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk ndërtohen me veprime të tilla, por me dialog dhe bashkëpunim”, tha kreu i Kisha Katolike Romake dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin çdo lloj lëvizjeje që inkurajon përhapjen e tensionit në Lindjen e Mesme.

Papa Françesku bëri thirrje për lutje për “viktimat e shumta të luftës”, duke përmendur veçanërisht Ukrainën, Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Izraelin.