Lajme

Nesër nis nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e Erden Atiqit

01/16/2024 16:58
nga:Sh R

Nënshkrimi i peticionit nga qytetarët për shkarkimin e Erden Atiqit, kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut do të fillojë nesër në ora 09:00, ka bërë të ditur Sanja Lazarevic Krtiniq, anëtare e grupit që ka iniciuar procedurën.

“Në emër të grupit iniciator për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, po i njoftoj qytetarët se më në fund i kemi marrë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se nesër do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit”, tha Sanja Lazarevic Krtiniq tha për RTS.

Ajo ftoi të gjithë qytetarët që nga nesër të vijnë dhe të mbështesin iniciativën për largimin e Erden Atiqit, duke thënë se “ai nuk ka legjitimitet të udhëheqë një komunë ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë” dhe që, shtoi ajo, “merr vendime kundër interesave të serbëve dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

“Pres një përgjigje të madhe nga qytetarët, sepse besoj se askush nuk e përkrah drejtimin e qytetit tonë në këtë mënyrë dhe shkaktimin e tensioneve”, tha Krtiniq.

Peticioni do të nënshkruhet në sallën e sporteve në pjesën veriore të Mitrovicës.