Sporti

Ish selektorja e Kosovës në futboll, Afërdita Fazliu: “Nacionaliteti nuk duhet të jetë kusht për trajnerin e ri, jemi në një ‘terr’ informativ”

01/15/2024 16:35
nga:E K

Ish selektorja e Kosovës për femra në futboll, Afërdita Fazliu në një intervistë për GazetaBlic Sport ka komentuar në lidhje me përzgjedhjen e trajnerit të ri të Kosovës.

Fazliu ndër të tjerash e cilëson dështim mos kualifikimin e Kosovës në Kampionatin Evropian sidomos duke marrë parasysh rënditjen që në fund patën ‘Dardanët’.

“Kosova sa më shpejtë duhet ta angazhoj një trajner. Nuk di objektivat e FFK, mirëpo në kuadër të synimeve duhet të gjindet një trajner që është adekuat. Kam dëgjuar shumë emra, por asnjë zyrtar në përjashtim të një fotografie që e kemi parë që ka çarkulluar. Jemi në një ‘terr’ informativ”, tha fillimisht Fazliu.

“Mendoj që nacionaliteti i selektorit nuk duhet të jetë kusht i huaj apo vendor. Federata duhet të ketë një komision profesional dhe ai që i plotëson kriteret duhet të zgjidhet në atë post. Personalisht do doja që kriteret t’i plotësonin trajnerët vendor megjithatë kriteret janë të komisionit profesional që t’i vendos.

Tutje, Fazliu komentoi edhe deklaratën e kreut të FFK’së para fillimit të ciklit të fundit kualifikues ku Ademi me shumë optimizëm u shpreh se Kosova do kualifikohej për “Euro 2024”.

“Prononcimi i Agim Ademit që do të kualifikohemi nuk më ka bërë përshtypje pasi nuk e njoh si ekspert të futbollit. Në anën tjetër ishte befasuese ky cikël i kualifikimeve duke parë cilësinë që e ka Kosova. Është e dhimbshme, nuk e kemi merituar, nëse i referohemi futbollit është më tepër se sport”, shtoi Fazliu për GazetaBlic Sport.

“I kemi humbur dy shansa tejet të mira. Unë asnjëherë nuk e harroi rastin me Maqedoninë e Veriut pasi mendoj që kishim rastin që atëherë të kualifikoheshim. Nëse dy herë humbet shansa dhe ke potencial të futbollistëve unë mendoj që nuk është më problemi te futbollistët”, vazhdoi ajo.

Fazliu kujton edhe kohën sa ishte selektore në futbollin e femrave duke potencuar se problemet që i ka hasur aty beson që i ka edhe përfaqësuesja e meshkujve vetëm në dimensione më të mëdha.

“Kam qenë vet selektore nëse nuk është organizimi i mirë dhe të lidhen të gjitha sektoret që kanë të bëjnë me futboll atëherë ne do të dështojmë. Po e potencoj edhe njëherë FFK është një nga federatat më jo transparente me publikun. Nuk do doja të ndalem shumë te koha kur unë kam qenë selektore, është fakt që futbolli i femrave dallon shumë me atë të meshkujve edhe në botë. Ne ishim një kombëtare në krijim, mirëpo ato pengesa që kemi pasur ne si përfaqësuese e femrave mendoj që përafërsisht të njëjtat vetëm në dimensione më të avancuara mund t’i ketë edhe futbolli i meshkujve”, përfundoi Fazliu për GazetaBlic Sport.

Për më shumë shikojeni intevistën e plotë: